“Uzuni Hotel” investimi në Sun Palasë

Artikulli origjinal nga TV Klan: [linku]

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, së fundmi ka zyrtarizuar një investim të ri në sektorin e turizmit në Shqipëri. Ky angazhim përfshin blerjen e një hoteli brenda resortit “Sun Palasë”, e vendosur në zonën e Palasës.

Projekti i ri do të mbajë emrin “Uzuni Hotel”, duke shënuar një hap konkret të sportistit në botën e sipërmarrjes.

Uzuni ka dhënë një intervistë për Tvklan.al, ku shpjegon arsyet që e shtynë drejt këtij investimi. Ai analizon faktorët gjeografikë dhe arkitekturorë që përcaktuan zgjedhjen e tij për këtë projekt specifik. Gjithashtu, sulmuesi ndan vizionin e tij për rëndësinë e zhvillimit të turizmit elitës në vend.

Paralelisht me planet në biznes, ai konfirmon se prioriteti i tij kryesor mbetet karriera sportive dhe objektivat me ekipin kombëtar. Në fund, ai jep një pasqyrë të planeve të tij afatgjata për investime të mëtejshme në Shqipëri.

– Përshëndetje, Myrto.

Përshëndetje juve!

– Padyshim, urimi i parë për ju në këtë fillim viti është që të keni sa më shumë suksese personale dhe për realizimin e ëndrrës suaj të madhe për të qenë në Botëror.

Faleminderit, urimet më të mira edhe për ju. Padyshim, dëshira ime më e madhe dhe urimi që kam ndarë me të gjithë miqtë dhe kolegët është fitorja e ndeshjeve të radhës dhe kualifikimi për në Botëror. Shqipëria e meriton dhe ne do të bëjmë çdo gjë për ta arritur këtë mision.

– Për këtë intervistë morëm shkas nga postimi juaj më i fundit, i cili ka marrë shumë shikime dhe komente, ku ju shfaqeni pranë një projekti vilash në bregdet.

Po, është një investim që sapo e zyrtarizova me një marrëveshje shumë të suksesshme për mua. Është një dëshirë e hershme për të pasur një hotel me emrin tim në bregdet. E kam shumë përzemër dhe nuk mund të rrija pa e ndarë me miqtë në këtë fillim viti.

– Domethënë, e keni nisur vitin e ri me këmbë të mbarë në investime.

Është një ndërthurje mes dëshirës dhe zhvillimit që po merr Shqipëria. Turizmi është e ardhmja e Shqipërisë dhe unë nuk mund të rrija jashtë këtyre zhvillimeve.

– A mund të ndani më shumë informacion me miqtë tuaj për këtë sipërmarrje?

Po. Ka disa vite që unë kam fokusin tim në bregdetin shqiptar, veçanërisht në zonën më elitare të rivierës, siç është plazhi i Palasës. I kam ndjekur nga afër thuajse të gjitha projektet që po zhvillohen aty. Para pak ditësh, më tërhoqi vëmendjen në rrjetet sociale marketingu i projektit “Sun Palasë”. Kërkova informacion të mëtejshëm dhe mësova se ishte një projekt i investuar nga kompania e mikut tim, z. Erion Gina. E telefonova pa humbur kohë dhe në takimin tonë sqarova edhe më shumë detaje për të cilat kisha pyetje.

– Pra, më thoni se ka qenë një dashuri me shikim të parë?

Dashuri jo, sepse atë e kam rezervuar për partneren time, por ishte mençuri me shikim të parë. Ishte një rast që nuk duhej humbur dhe erdhi në kohën e duhur për mua.

– Çfarë ju tërhoqi kaq shumë në këtë projekt?

Së pari, pozicioni gjeografik, saktësisht në vendin ideal ku gjithçka është në distancat e duhura. E dyta, vetë projekti. Deri më sot kam parë shumë rezidenca që kanë një jetë shumë të kufizuar në atë që quhet privatësi. Ne jemi njerëz shumë social, po aq sa edhe të rezervuar, dhe kemi nevojë për praninë e komunitetit, për shërbimet dhe ambientet që ndikojnë pozitivisht në jetesën e përditshme.

– Ju po i pretendoni të gjitha këto vetëm për ato pak ditë pushime që do të kaloni në rivierën shqiptare?

Jo, përkundrazi. Pikërisht këtë dëshiroj të theksoj, që struktura urbanistike, vetë projekti dhe të gjitha shërbimet e ofruara e bëjnë këtë rezidencë të banueshme për të gjitha ditët e vitit. Unë mendoj se është investimi më i mirë dhe më i sigurt për mua.

– Duket sikur po ktheheni në një biznesmen tani.

Jo jo, akoma. Misioni im parësor është të shënoj dhe ta çojmë Shqipërinë në Botëror. Pastaj, karriera ime futbollistike, e cila dëshiroj të mos ketë kufij. Sigurisht, unë jetoj me Shqipërinë në çdo moment dhe në të ardhmen e largët e shikoj veten duke rritur fëmijët dhe nipërit me dashurinë për Shqipërinë. Gjithashtu, investimet do të jenë gjithmonë në rritje për Shqipërinë.

– Si do të quhet ky investim i juaji?

Investimi është në fushën e hotelerisë dhe turizmit, dhe dëshira ime është që të ketë mbiemrin tim, por do ta shohim hap pas hapi.

– Urimet më të mira për ju. Suksese në këtë investim dhe shumë urime për një sukses në Botëror.

Share on: